Duke sfiduar ekonominë e futbollit modern, Atalanta e vogël po kërcënon që t’ia mohojë Milanit kthimin e shumëpritur në Ligën e Kampionëve.
Pasi që çështja e titullit duket formalitet tash, ku Juventusi me një barazim ndaj SPAL-it të shtunën e siguron titullin e tetë rresht, gara e vërtetë në Serie A është për vendet që dërgojnë në Ligën e Kampionëve, shkruan Reuters, transmeton “Koha Ditore”.
Atalanta kurrë nuk ka luajtur në Ligën e Kampionëve dhe fillimisht as që ishte konsideruar si kandidate për “Top 4”.
Atalanta është një lloj ekipi mesatar evropian, që menjëherë pas një stinori të mirë, humbet lojtarët më të mirë, pasi ia marrin klubet e mëdha. Kështu që bie poshtë në renditje dhe duhet të nisë nga fillimi.
Mirëpo, klubi nga Bergamo ka refuzuar të qëndrojë poshtë dhe kur kanë mbetur shtatë xhiro deri në fund të stinorit, zë vendin e pestë me pikë të barabarta me Milanin që është i katërti me 52 pikë. Roma ka 51 pikë, ndërsa Lazio e Torino nga 49.
Derisa Milani takohet me Lazion të shtunën, Atalanta do të përballet me një kundërshtar më të lehtë, Empolin të hënën mbrëma.
Pasi përfundoi në vend të katërt në stinorin 2016-17, Atalanta në mënyrë të paevitueshme humbi dy nga lojtarët kryesorë Andrea Contin dhe Franck Kessien që kaluan te Milani, ndërsa mesfushori Roberto Gagliardini i ishte bashkuar Interit pas gjysmës së atij stinori.
© KOHA