KB Trepçës i ka dështuar transferimi i basketbollistit amerikan, Carren Wilson Jr, pasi që ky i fundit edhe pse kishte premtuar se nuk ka marrëveshje me asnjë klub, ishte në lidhje kontrate me KB Teutën e Shqipërisë.
Gjatë bisedimeve me Trepçën, Wilson dhe agjenti i tij kishin pretenduar se basketbollisti mund të transferohet si lojtar i lirë pasi që nuk ka kontratë me asnjë klub. Përmes llogarisë në Facebook, Trepça ka bërë të ditur se Wilson e kishte mbajtur një seancë stërvitore me ta.
Megjithatë, kur e kishin kuptuar se WIlson kishte kontratë me Teutën, drejtuesit e Trepçës tentuan ta arrijnë një marrëveshje me drejtuesin e klubit nga Shqipëria. Mirëpo, një marrëveshje e tillë nuk u arrit dhe Wilson tani mbetet lojtar i Teutës.
“Rreth lojtarit C.J Wilson i regjistruar në KB TREPÇA. Ne si klub ( kryesi) kemi arritur marrëveshje me lojtarin në fjalë përmes agjentit të tij, pasi sipas tij lojtari ka qenë lojtar i lirë dhe ne ia kemi përmbushë të gjitha kërkesat dhe ka firmosur për klubin tonë. Me çka dëshmojmë edhe me kontratë të firmosur! Mirëpo më vonë del e vërteta se lojtari ka kontratë të lidhur me KB Teuta nga Durrësi”, shkruhet në postimin e Trepçës në Facebook.
“Edhe pse lojtari në fjalë ka qëndruar në Mitrovicë dhe ka mbajt një seancë stërvitore, ne e kemi lejuar që të kthehet në Durrës dhe të arrijë një marrëveshje me kryesin e klubit basketbollistik Teuta për të vazhduar karrierën në klubin tonë KB TREPÇA mirëpo fatkeqësisht nuk ka hasur në mirëkuptim dhe lojtari në fjalë ka lajmëruar qe nuk ka mundur të arrijë marrëveshje që të jetë lojtar i KB TREPÇA”.
Kryesia e Trepçës u ka kërkuar falje tifozëve të klubit për këtë transferim të dështuar, mirëpo ka premtuar që së shpejti do ta marrin një përforcim të ri. Gjatë këtij afati kalimtar, Trepça veçse i ka shtuar dy lojtarë në skuadrën e vet, Baker II Kevin dhe Harold Rigeway.
Trepça ndodhet në pozitën e katërt në Superligën e Kosovës, me 21 pikë të grumbulluara gjatë pjesës së parë të sezonit. Pas 14 xhirove të zhvilluara, ky klub ka mbetur shtatë pikë larg liderit, Z Mobile Prishtinës.
(Kosova Sot)