Shefat Isufi ka rritur në pesë numrin e boksierëve shqiptarë që arrijnë te lufta për titull të botës në katër versionet e mëdha të boksit profesionist. Luan Krasniqi, Haxhi Krasniqi, Shpend Abazi e Edis Tatli janë katër të parët.
Asnjëri prej tyre nuk ka fituar titull të botës dhe shqiptarët janë në pritje të brezit të parë të kampionit në versionet WBC, WBA, IBF e WBO. Isufi 29-vjeçar më 13 prill në “Wembley Arena” të Londrës do të përballet me britanikun e njohur Billy Joe Saunders në luftën për titull të botës në versionin WBO në kategorinë super të mesme. Famë dukshëm më të madhe se që ka Isufi para luftës së tij për titull të botës kishte Luan Krasniqi, që për shumë njerëz vazhdon të jetë boksieri shqiptar më i madh i të gjitha kohërave, shkruan sot Koha Ditore.
Krasniqi, tash 47-vjeçar, ka pasur karrierë të madhe amatore para se të kalonte në profesionalizëm. Në amatorizëm Krasniqi ka fituar medalje të bronztë olimpike, të argjendtë botërore e të artë evropiane. Karrierën e ka zhvilluar në kategorinë e rëndë, ndërsa në profesionalizëm pati bilanc prej 30 fitoreve e katër disfatave.
Në kohën e Krasniqit, që është pensionuar në vitin 2008, kategoria e rëndë e boksit profesionist ishte e mbushur me boksierë cilësorë dhe arritja te lufta për titull të botës vlerësohet sukses i madh. Krasniqi e mbajti gjatë titullin e vërtetë të Evropës në kategorinë e rëndë para se të luftonte për titull të botës. Më 28 shtator të vitit 2005 u përball me Lamon Brewsterin për titullin e versionit WBO dhe pësoi me ndërprerje në raundin e nëntë. Por paraqitja e tij u vlerësua shumë lart. Deri në momentin e dorëzimit ishte më i mirë.
Krasniqi, që atëbotë ishte prej boksierëve më të famshëm evropianë, bëri përpjekje për rikthim. Lidhi dy fitore, por më pas humbi nga Tony Thompsoni dhe Alexander Dimitrenko për t’i dhënë fund kështu karrierës.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.