Kur Yao Ming u takua me Han Xu-n në Lojërat e Azisë të vitit 2018, ai mësoi se ata pëlqenin këngën e njëjtë, “Sugar” të Maroon 5.
Han, një qendër debutuese e gjatë 206 centimetra te skuadra Liberty, mund të lidhet me Yaon – basketbollistin e parë kinez në NBA – më tepër sesa vetëm me atë këngë. Ndonëse gjiganti 228 centimetra Yao, që është pensionuar nga basketbolli në vitin 2011, nuk donte të përmendte temat e gjëra gjatë bisedës që pati, prapë është evidente se kërkesat për Hanin janë që të shkojë hapave të tij, shkruan sot Koha Ditore.
Han 19-vjeçare po përshkruhet si Yao i basketbollit të femrave në Kinë.
Gjatë ndeshjes së parë të saj me Libertyn, në fitoren 89:71 në miqësore ndaj përfaqësueses së Kinës në “Barclays Center” të enjten, në tabelën e rezultatit vazhdimisht paraqiteshin reklama për shitjen e fanellave të Hanit. Disa flamuj të mëdhenj shiheshin në tribuna.
Kur Han u largua nga loja 1:29 pa mbaruar ndeshja, ishte shënuesja më e mirë në ndeshje me 19 pikë, duke e ndarë këtë epitet me Kia Nurse. Derisa po largohej, Joe Tsai, pronari tajvanezo-kanadez i Libertyt, u ngrit dhe e përshëndeti Hanin.
“Fizikisht dhe mendërisht, ajo është aq e talentuar, sa mund të bëhet lojtarja më e mirë në botë”, thotë basketbollistja tjetër e përfaqësueses së Kinës, Li Meng.
Kultivimi i një ylli të njohur nga tregu më i madh i basketbollit jashtë SHBA-së, mund të ofrojë mundësi të reja biznesore për WNBA-n, që po kërkon më tepër ekspozim.
Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.