Në nëntor ose dhjetor do të zhvillohet revanshi i peshave të rënda në boks midis Anthony Joshua dhe Andy Ruiz Jr. Ky i fundit fitoi më 1 qershor duelin e zhvillua në Nju Jork ndaj britanikut, duke marrë titujt kampionë bote të këtij Divizioni. Gjithsesi, sipas kontratës, Joshua aplikoi klauzolën për zhvillimin e revanshit, që më 99% do të zhvillohet në Britaninë e Madhe.
Menaxheri Eddie Hearn ka nisur që tani nga puna për gjetjen e një stadium gjigant për të zhvilluar këtë sfidë të dytë mes dy boksierëve. Ai ka piketuar 3 stadiume: “Wembley” në Londër, “White Hart Lane” në Londër si dhe “Principality Stadium” në Kardif.
“Joshua dëshiron të duelojë në “Wembley”, pasi aty ka dueluar disa herë më parë dhe ka triumfuar, ka kujtime të mira. Gjithsesi, në nëntor Londra nuk të dhuron kohë të mirë, ndaj nuk e di nëse Andy Ruiz Jr e pëlqen shiun”, u shpreh Eddie Hearn, menaxheri dhe promotori i Anthony Joshua.
Duelin e parë të zhvilluar në “Madison Square Garden” të Nju Jorkut, meksikani Ruiz fitoi me “KO teknik” në raundin e shtatë, duke i shkaktuar Joshua humbjen e parë në karrierë.