Gazeta Express
28 Maj 2019 12:48
Mbrojtësi Berat Gjimshiti i ndihmoi Atalantas ta sigurojë kualifikimin për sezonin e ardhshëm të Ligës së Kampionëve, megjithatë ai nuk bën pjesë në listën e lojtarëve të ftuar nga Edy Reja për ndeshjet e qershorit.
Në muajin qershor, Shqipëria do t’i zhvillojë dy ndeshje në kuadër të Grupit H të kualifikimeve për Kampionatin Evropian 2020, shkruan Gazeta Express.
Kuqezinjtë së pari do ta vizitojnë Islandën më 8 qershor, ndërsa vetëm tri ditë më vonë do ta presin Moldavinë në shtëpi. Ndeshja e dytë do të zhvillohet në stadiumin “Elbasan Arena” pasi që “Arena Kombëtare” nuk është ende gati.
Edy Reja e zgjodhi për herë të parë ekipin e Kombëtares kuqezi dhe në listën e publikuar sot mungonte Berat Gjimshiti. Trajneri ka sqaruar se mungesa e mbrojtësit 26-vjeçar është për shkak se ai do operohet sot.
“Gjimshiti operohet sot, ndaj nuk e kam grumbulluar në Kombëtare. Ai ka luajtur këto javë se Atalanta kishte mungesa dhe ka sakrifikuar shumë. Më vjen keq, se Gjimshitin e kam marrë unë tek Atalanta dhe këto dy ndeshje nuk do ta kem në dispozicion te Shqipëria”, ka thënë Reja.
Gjimshiti i zhvilloi gjithsej 29 ndeshje për Atalantan këtë sezon, me të cilin arriti deri në finale të Ligës së Kampionëve dhe e siguroi kualifikimin në sezonin e ardhshëm të Ligës së Kampionëve përmes Serisë A. Përveç kontributit të madh në mbrojtje, Gjimshiti e ka shënuar një gol dhe i ka asistuar dy të tjera gjatë këtij sezoni.
Kjo është hera e parë që Edy Reja do të takohet me skuadrën e Shqipërisë, pasi që ai e mori pozitën e trajnerit vetëm më 17 prill të këtij viti, pas shkarkimit të bashkëkombësit të tij, Christian Panuccit. /Gazeta Express/