Drejtori për marrëdhënie sportive, Guillermo Amor, ka reaguar ndaj lajmeve se Philippe Coutinho do të transferohet në Manchester United, duke thënë se ai është pjesë e Barcelonës dhe ka edhe disa vite në kontratën e tij me ta.
Manchester Unitedi i ka befasuar të gjithë duke e shprehur interesimin për ish-yllin e Liverpoolit, tani në Barcelonë, Coutinhon, për të cilin është i gatshëm t’i shpenzojë deri në 110 milionë euro
Braziliani iu bashkua gjigantit katalonas në janar të vitit të kaluar, mirëpo mediat spanjolle raportojnë se ai nuk është i kënaqur në Spanjë për shkak të mungesës së minutave të luajtur gjatë këtij sezoni.
CaughtOffside raporton se në garë për transferimin e Coutinhos është edhe vet Liverpooli, mirëpo klube të tjera e kanë shprehur interesimin më bindshëm, si Manchester Unitedi, Chelsea, Manchester City dhe Paris Saint-Germaini.
Manchester Unitedi ka avancuar më së shumti në këtë garë pasi që tanimë e ka kontaktuar Barcelonën për ta pyetur për brazilianin. Mirëpo, ende nuk dihet nëse Coutinho është i gatshëm të shkojë te rivali më i madh i ish-klubit të tij, duke u shkatërruar përgjithmonë reputacionin e tij në Anfield.
“Coutinho është një lojtar me shumë përvojë, një nga lojtarët më të mirë në Evropë dhe ai është gati të luajë edhe për pesë minuta edhe për 90. Ai është një lojtar që mendon më shumë për ekipin sesa për veten”, ka thënë Amor.
“Nuk kam asnjë dyshim se ai është njëri ndër lojtarët më të mirë në botë. AI ka luajtur gjithmonë mirë për Barcelonën, mund të luajë në çdo ndeshje që nga minuta e parë”.
“Barça e transferoi atë sepse ai është njëri ndër më të mirët në botë dhe ai do të na ndihmojë neve shumë. Ai ka edhe shumë vite të mbetura në kontratën e tij”.
(Kosova Sot)