Manchester Unitedi ka vendosur t’i ndëshkojë futbollistët e vet duke ua ulur pagat deri në 25 për qind nga sezoni i ardhshëm, pas dështimit për t’u kualifikuar në Ligën e Kampionëve.
Politika e Unitedit për disa sezone ka qenë t’i shpërblejë lojtarët me bonuse nëse ata i ndihmojnë klubit ta mbyllë sezonin në top katërshe në Premierligë, edhe pse proporcioni i saktë i pagës dallon varësisht nga kushtet e kontratës të secilit lojtar, sipas Sky Sports, përcjell Gazeta Express.
Barazimi e së dielës 1:1 me Huddersfield Town nënkupton se për Unitedin është e pamundur të kualifikohet në sezonin e ardhshëm të Ligës së Kampionëve dhe Sky Sports mëson se bonuse të tilla nuk vlejnë për kualifikim në Ligën e Evropës.
Kjo politikë nuk vlen për secilin pjesëtarë të skuadrës së Unitedit, sepse kjo klauzolë nuk ka qenë pjesë e kontratave të vjetra.
Përkundër kësaj, Sky Sports mëson se shumica e 25 futbollistëve të Unitedit do ta pësojnë nga ky vendim. /Gazeta Express/