Përderisa strategjia e Barcelonës për afatin kalimtar të janarit ishte planifikuar tash e një kohë të gjatë, vëmendja e drejtuesve të klubit tani është kthyer te afati kalimtar i verës, ku ata do të tentojnë ta transferojnë një golashënues.
Qëllimi për afatin kalimtar të janarit ishte përforcimi i mbrojtjes dhe transferimi i një mesfushori defansiv. Klubi do ta shqyrtonte mundësinë e transferimit edhe të një lojtari tjetër, një qendërsulmuesi, mirëpo ky nuk ishte prioritet për klubin, transmeton Gazeta Express.
Luis Suarez do ta festojë ditëlindjen e tij të 32-të para se të fillojnë sezoni i ardhshëm dhe klubi e di se ata duhet të punojnë gjatë kësaj kohe për ta gjetur një golashënues të mirë, i cili do të mund ta zëvendësojë uruguaianin.
Tipi i lojtarëve që ata do ta kërkojnë do të varet nga faktorë të ndryshëm, njëri prej këtyre faktorëve është edhe vet tregu i lojtarëve, pasi që klubi duhet ta gjejë një lojtar që e kënaq sekretarin teknik dhe trajnerin, si dhe çmimi i tij duhet të jetë i arsyeshëm. Mirëpo, kjo gjë nuk është e lehtë të arrihet.
Dy faktorë tjerë të cilët po ashtu do të luajnë rol të rëndësishëm është nëse Paco Alcacer do të vendosë të kthehem nga huazimi në Dortmund dhe nëse Munir El Haddadi do të pranojë ta nënshkruajë ofertën katërvjeçare të Barcelonës, pasi që kontrata e tij aktuale përfundon në qershor.
Edhe sekretari teknik, Eric Abidal, edhe trajneri Ernesto Valverde dëshiojnë ta mbajnë Munirin në skuadër dhe ta vazhdojnë procesin e zhvillimit të tij si futbollist profesionist. Nëse ai arrin ta dëshmojë veten gjatë kësaj kohe, atëherë klubi mund të heqë dorë nga transferimi i një qendërsulmuesi tjetër.
Megjithatë, tani klubi katalonas nuk ka shumë kohë për të pritur pasi që agjenti i Munirit, Francisco Valdivieso, i ka thënë klubit se ai do të largohet gjatë afatit kalimtar të verës. Në anën tjetër, edhe Alcacer pritet t’i bashkohet përfundimisht Dortmundit për 23 milionë euro.
Barcelona duhet ta fillojë kërkimin në treg për një zëvendësues të mundshëm për Suarezin, edhe pse ai mbetet një titullar i padiskutueshëm për Valverden. Duke pasur parasysh paraqitjet e tij këtë sezon, ku ai është golashënuesi i dytë më i mirë në ligë, pas Lionel Messit, zëvendësimi i tij nuk do të jetë aspak i lehtë.
Klubi ka qenë në kërkim të një numri të madh të lojtarëve, si: Krzysztof Piatek i Genoas, Nicolas Pepe i Lille, Maxi Gomez i Celta Vigos, Luka Jovic i Eintracht Frankfurt dhe Timo Werner i RB Leipzigut.
Njëri nga këta lojtarë pritet t’i bashkohet Barcelonës gjatë afatit kalimtar të verës, por mundësia e arritjes së një transferimi të tillë gjatë këtij afati kalimtar të janarit, edhe nëse Munir largohet qysh tani, vlerësohet i pamundur. /Gazeta Express/