Paris Saint-Germaini e ka konfirmuar se Neymari do ta vazhdojë procesin e rikuperimit nga lëndimi i shputës së këmbës në Brazil. Por, ai do të jetë nën mbikëqyrje të vazhdueshme nga stafi mjekësor i klubit francez.
Sulmuesi pritet të mungojë edhe në ndeshjet e shtatë javëve të ardhshme për shkak të lëndimit që e pësoi në ndeshjen e PSG-së kundër Strasbourgut, më 23 janar, në Kupën e Francës, transmeton Gazeta Express.
Në mungesë të tij, kampioni francez i ka fituar të gjitha ndeshjet, me përjashtim të ndeshjes së fundit në Ligue 1. Kylian Mbappe e ka drejtuar vijën e sulmit dhe do të vazhdojë ta bëjë këtë punë deri sa të kthehen Neymari dhe Edinson Cavani.
“Neymar Jr do ta vazhdojë trajtimit e tij në Brazil, nën mbikëqyrjen e departamentit mjekësor të Paris Saint-Germainit. Si pjesë e trajtimit të lëndimit në shputën e këmbës së djathtë, PSG-ja ka vendosur ta dërgojë Neymarin në Brazil për dhjetë ditë”, shkruhet në njoftimin e lëshuar nga kampioni në fuqi i Ligue 1.
“Braziliani do të udhëtojë për në Brazil këtë të enjte, bashkë me stafin mjekësor të klubit. Ai do ta vazhdojë trajtimin mjekësor që e kishte nisur në Paris e në Barcelonë, në fund të janarit”.
Neymari i kishte shënuar 13 gola në 13 ndeshje të Ligue para se ta pësonte këtë lëndim, që është i ngjashëm me lëndimin që e kishte marrë sezonin e kaluar. /Gazeta Express/