A dëshiron të luash futboll si një qytetar i natyralizuar kinez? Atëherë bën mirë të lexosh historinë e Partisë Komuniste.
Udhëzimet e reja të dala nga Federata e Futbollit e Kinës thonë se lojtarët e natyralizuar duhet të mësojnë historinë dhe teoritë bazë, pos që duhet të dinë himnin nacional, flamurin, simbolet, kushtet nacionale dhe kulturën kineze.
Po ashtu, një plan i mësimit të kinezishtes duhet dorëzuar dhe të jepet një raport mujor për përparimin e lojtarëve në gjuhë, te Federata kineze.
Kina është duke rekrutuar lojtarë të huaj me prejardhje kineze në tentim për të rritur standardin e lojës në ligën vendore dhe po ashtu në përfaqësuese, ku përfaqësuesja e Kinës ka zhgënjyer në vitet e fundit, shkruan AP, transmeton “Koha Ditore”.
Në mesin e atyre që kanë pranuar ofertën është kinezi i lindur në Norvegji, Hou Yongyong, që tash luan për Beijing Guoanin dhe Nico Yennaris, që ka kaluar nëpër akademinë e Arsenalit.
Kina ka kërkuar të rrisë standardin e ligës profesioniste duke angazhuar talente të huaja që kanë marrë paga masive. Por ka pasur pak ndikim në performancën e Përfaqësueses, që aktualisht zë vendin e 72-të në renditje të FIFA-s.
Presidenti i Kinës, Xi Jingping, që është edhe kryetari i Partisë Komuniste, ka premtuar se do ta kthejë Kinën në fuqi botërore të futbollit, ndërsa ka kërkuar një zgjerim masiv të programit stërvitor të të rinjve, duke nisur nga niveli parashkollor.
© KOHA