Sikur mos t’i mjaftonte humbja në shtëpi me dy gola epërsinë, skuadra e Olde Gunnar Solskjaer do ta ketë një mal për t’u ngjitur në ndeshjen e kthimit sepse nuk do të mundë të llogarisë as në shërbimet e Paul Pogbas.
Paul Pogba u përjashtua nga ndeshja pas kartonit të dytë të verdhë në humbjen e Manchester Unitedit 2:0 kundër Paris SAint-Germainit në ndeshjen e parë të 1/8 së finales në Ligën e Kampionëve, që nënkupton se mesfushori do të mungojë në ndeshjen e kthimit në Paris më 6 mars, transmeton Gazeta Express.
Francezi u ndëshkua me karton të verdhë pak para se akrepat të shënonin gjysmë ore lojë në pjesën e parë, pasi ndërhyu me vonesë ndaj Marco Verrattit dhe u ndëshkua për herë të dytë pas një faulli në Dani Alvesin në pjesën e dytë.
Unitedi po humbiste 2:0 kur Pogba e mori të dytin, pasi Presnel Kimpembe dhe Kylian Mbappe shënuan në pjesën e dytë për francezët.
Kartoni i kuq i Pogbas ia shton mjerimin skuadrës së Ole Gunnar Solskajer, e cila duhet të luftojë për ta përmbysur rezultatin prej dy golave në Paris, por pa llogaritur në shërbimet e tij. /Gazeta Express/