Qoftë pasi luajnë ose e mbështesin një ekip rival, qoftë për arsye të tjera – ka një numër të njerëzve në botën e sportit që e konsiderojnë veten si anti-Madridista apo urrejtës të Real Madridit.
Pierre Oriola është sportisi i fundit që e ka deklaruar mospëlqimin e tij për “Los Blancos’, mirëpo ai pa dyshim nuk është i pari, transmeton Gazeta Express.
E përditshmja spanjolle, Marca, i ka listuar disa nga emrat më të mëdhenj që e kanë pranuar se nuk u pëlqen klubi madrilen.
Pierre Oriola
Basketbollisti i Barcelonës foli për “Los Blancos” të dielën.
“Unë jam tifoz i Barcelonës, por edhe më shumë jam anti-Madridist”, ka thënë ai.
Joan Gaspart
Ish-presidenti i Barcelonës e kishte bërë publik qëndrimin e tij kundër klubit rival.
“Real Madridi me irriton, unë jam një anti-Madridista”, kishte thënë ai
Hristo Stoichkov
Ish-sulmuesi i Barcelonës është një tjetër sportist që e ka ngacmuar Real Madridin gjatë viteve të fundit. Ai madje kishte shkuar deri atje sa për të thënë se e urren ngjyrën e bardhë.
“Nuk do të më shihni asnjëherë veshur me ngjyrë të bardhë pasi që e urrej Real Madridin dhe e urrej ngjyrën e bardhë”, ishte shprehur bullgari.
Paulo Futre
Legjenda e Atletico Madridit i ka shfrytëzuar shpeshherë rrjetet sociale për ta treguar urrejtjen e tij për Real Madridin, përmes fotografive dhe talljeve me “Los Blancos”.
Jesus Gil
Ish-presidenti i Atletico Madridit ishte shumë i zëshëm për të gjitha temat, përfshirë këtu edhe Real Madridin.
“I shijoj disfatat e Real Madridit”, kishte thënë ai.
Jose Luis Nunez
Ngjashëm me Gilin, ish-presidenti i Barcelonës Nunez e kishte një marrëdhënie jo edhe aq të mirë me homologët e tij në Real Madrid.
Ai pretendoi se Barcelona ishte keqtrajtuar dhe se është e natyrshme që ai ta urrej Real Madridin.
Gabi
Ish-kapiteni i Atletico Madridit është një tjetër sportist i cili bën pjesë në mesin e njerëzve që e kanë bërë publike urrejtjen për Real Madridin.
“Kur rritesh nëpër grupmoshat e akademisë dhe luan kundër Real Madridit, bëhesh anti-Madridist. Nuk është mirë apo keq, është realiteti i Atletico Madridit’, ishte shprehur ai.
Oscar Mena
Argjentinasi mund të ketë qenë pjesë e Atletico Madridit vetëm për tre vjet, mirëpo ai e kishte përvetësuar këtë ndjenjë anti-Madridiste shumë shpejt.
“Unë gjithmonë dua që Real Madridi të humbë dhe që gjërat t’u shkojnë keq. Këtë gjë e bën një tifoz i mirë i Atletico Madridit. Ti duhet të festosh kur ata humbin”, kishte deklaruar Mena. /Gazeta Express/