Trajneri katalonas i Real Valladolidit, Sergio Canasles, do të kthehet në Barcelonë këtë fundjavë, kur skuadra e tij do të ndeshet me Barçën, në Camp Nou, për xhiron e 24-të të këtij sezonit të La Ligës.
Djelmoshat e Gonzalez do të tentojnë t’i habisin katalonasit, mirëpo trajneri beson se këtë gjë mund ta bëjnë më mirë dhe më lehtësisht nëse ylli i vendasve, Lionel Messi, nuk luan në këtë ndeshje, transmeton Gazeta Express.
Leo Messi do të jetë në gjendje të luajë në ndeshjen e ligës këtë të shtune kundër Valladolidit. Argjentinasi tashmë është riaftësuar nga problemet që kishte javën e kaluar. Në seancën stërvitore të Barcelonës të enjten, Lionel Messi u stërvit në kapacitetin e tij të plotë me pjesën tjetër të bashkëlojtarëve.
Megjithatë, pasi që në mes të javës së ardhshme, Barcelona do të garojë në Ligën e Kampionëve, trajneri Ernesto Valverde mund të preferojë t’i pushojë yjet e skuadrës së tij. Gonzalez nuk beson se kjo gjë do të ndikojë në rezultatin e ndeshjes.
“Shpresoj se Messi do ta marrë pushim. Nëse do ta bëjë këtë gjë, unë do t’i them atij se divani është shumë i mirë dhe jam i sigurt se ai do të ndihej shumë rehat aty. Nëse ka edhe të tjerë që duan të pushojnë, atëherë s’ka problem, le të pushojmë”.
“Nuk ka rëndësi sepse ata janë të gjithë lojtarë të mirë, edhe titullarët edhe ata në bankën rezervë. Nuk është vetëm Messi, janë edhe Luis Suarez, Ousmane Dembele, Philippe Coutinho…”.
Messi e pësoi një dëmtim muskulor në kofshën e djathtë në ndeshjen e La Ligës kundër Valencias më 2 shkurt. Ky lëndim ai pamundësoi atij paraqitjen e plotë ndaj Real Madridit në Kupën e Mbretit. Ndërsa, të dielën e kaluar ai luajti 90 minuta kundër Athletic Bilbaos por jo në kapacitetin e tij të plotë.
Pas dy ditëve pushim që Valverde ua dha lojtarëve të tij, Messi ka qenë në gjendje ta rimarrë veten dhe të enjten në stërvitje u pa plotësisht i riaftësuar. /Gazeta Express/