Mbrojtësi anësor i Atletico Madridit, Filipe Luis, është bërë pjesë e debatit për Topin e Artë të vitit 2018, duke insistuar se ylli i Barcelonës, Lionel Messi, duhej ta kishte fituar këtë çmim para Luka Modricit të Real Madridit.
Triumfi në Ligën e Kampionëve me Real Madridin dhe arritja deri në finale të Kupës së Botës me Kombëtaren e Kroacisë bënë që mesfushori kroat, Modric, ta fitonte Topin e Artë, duke e lënë Cristiano Ronaldon në pozitën e dytë dhe Antoine Griezmannin në pozitën e tretë.
Kylian Mbappe, i cili e fitoi çmimin Kope, e zuri vendin e katër për shkak të paraqitjeve mbresëlënëse me Paris Saint-Germainin dhe triumfit në Kupën e Botës me Francës. Kjo bëri që Messi të mbetet vetëm në pozitën e pestë.
Megjithatë, përkundër që Luis është rival i drejtpërdrejtë me Messin në La Liga, ai beson se paraqitjet e argjentinasit përgjatë vitit 2018, si dhe gjatë gjithë karrierës së tij, janë mjaftueshëm për ta mëritur këtë çmim.
“Kur unë hyj në fushë, synimi im është që të mos i lejoj kundërshtarët të bëjnë gjë. Mirëpo, pas shumë vjetëve, unë e kam parë vetëm një lojtar që ka arritur ta rishpikë veten, ai luan në qendër e anash fushës”, ka thënë Luis.
“Papritmas, unë dëgjoj nga të tjerët se ai nuk e meritoi Topin e Artë pasi që e kaloi një vit të keq gjatë 2018-ës? Ai e fitoi La Ligës, e fitoi Kupën e Mbretit, ishte golashënuesi më i mirë në Evropë dhe bëri shumë asiste”.
“Kushdo që mendon se Messi nuk e meritoi Topin e Artë, nuk arrin ta shohë atë që e shoh unë. Ose kjo, ose unë nuk di asgjë për futboll. Ai është lojtari më i mirë në Barcelonë. Ai shënon gola dhe kur nuk e bën këtë gjë, bën asiste ose i krijon rastet që përfundojnë me gola”.
“Ai e ka bërë këtë gjë që 10 vjet. Rivaliteti im me të në fushë është i pakufishëm, por jashtë fushës, adhurimi im për të është i pakufishëm. Ai është argjentinas dhe luan në një klub rival timin dhe e di se nuk fitoj asnjë tifoz pse flas mirë për të, mirëpo thjesht po bëhem i sinqertë”.
(Kosova Sot)