Trajneri i Chelseat, Maurizio Sarri, ka insistuar se portieri Kepa Arrizabalaga do të mbetet opsioni i tij i parë, përkundër që e la në stol në ndeshjen e mbrëmshme të Premierligës, kundër Tottenhamit.
Sarri ia besoi pozitën e portierit Willy Caballeros mbrëmë, pasi Kepa nuk i kishte pranuar urdhrat e tij në ndeshjen paraprake, kundër Manchester Cityt, në finale të Carabao Cup, transmeton Gazeta Express.
Kepa u gjobit nga klubi londinez, përkundër që ai dhe Sarri fillimisht kishin insistuar se i gjithë incidenti kishte qenë thjesht një keqkuptim.
Sarri tentoi ta dëshmojë autoritetin e tij në klub, duke e lënë Kepan në stol për ndeshjen kundër Tottenhamit dhe duke e futur Caballeron në vend të tij.
Chelsea e fitoi këtë ndeshje me rezultat 2:0, mirëpo Caballero nuk pati shumë punë për të bërë, pasi që Tottenhami nuk arriti ta bëjë asnjë goditje brenda kuadratit të portës. Përkundër që Caballero e mbajti portën e paprekur, Sarri insiston se Kepa mbetet portieri i tij i parë.
“Natyrisht. Mendoj se ishte vendimi i duhur për ta lënë atë në stol. Kepa e bëri një gabim të madh. Ai e pagoi gjobën që iu dha prej klubit dhe pastaj pagoi edhe duke e humbur vendin në ekipin e parë”, ka thënë Sarri.
“Tani, mendoj se duhet të ndalemi. Kepa do të jetë me në nga nesër. Nuk e di nëse do të jetë në ndeshjen e ardhshme apo jo. Por, në dy apo tri ndeshjet e radhës, patjetër”. /Gazeta Express/