Ylli i Atletico Madridit, Antoine Griezmann, ka thënë se Frenkie de Jongu është lojtari më i mirë kundër të cilit ka luajtur, duke i harruar kështu dy nga futbollistët më të mirë në botë, Lionel Messin dhe Cristiano Ronaldon.
Gjatë Ligës së Kombeve të UEFA-s, Griezmann dhe De Jongu u përballen në ndeshjen mes Francës dhe Holandës, në fazën e grupeve.
Këto dy ndeshje kundër Holandës i mbetën në mendje Griezmannit dhe ai thotë se De Jongu, i cili do t’i bashkohet Barcelonës këtë verë, është lojtari më i mirë kundër të cilit ka luajtur në karrierën e tij.
“Lojtari më i mirë kundër të cilit kam luajtur? Do të them De Jongu i Ajaxit sepse unë tentoja t’i bëja presion atij dhe nuk u tregova asnjëherë i suksesshëm”, ka thënë Griezmann për “Oh My Goal”.
“Lojtari më i mirë i të gjitha kohëve? Epo, varet nga epoka. Por, unë duhet të them Messi ose Cristiano. Unë nuk e kam parë kurrë Pelen ose Maradonën duke luajtur. Është një pyetje e vështirë. Të gjithë e kanë stilin e tyre”.
“Pastaj është edhe Zidane. Zidane e ka fituar titullin e Kupës së Botës, gjë të cilën nuk e kanë bërë kurrë Messi apo Ronaldo”.
(Kosova Sot)