Edinson Cavani ka treguar se kishte kërkuar ndihmë mjekësore për t’i përballuar problemet me gjumin pas humbjes së Paris Saint-Germainit kundër Barcelonës në edicionin 2016/17 të Ligës së Kampionëve.
Gjiganti francez e mposhti klubin katalonas 4:0 në ndeshjen e parë të 1/8 së finales mes tyre, por u mund 6:1 në ndeshjen e kthimit në Camp Nou dhe u eliminua në fazën e parë të eliminimit direkt, transmeton Gazeta Express.
Cavani dhe bashkëlojtarët e tij po kalonin në çerekfinale deri në sekondat e fundit të ndeshjes, kur zëvendësuesi Sergi Roberto e realizoi golin e fitores në minutën e 65-të për ta kompletuar rikthimin e paparë.
Në një intervistë me ESPN, Cavani e pranoi se ajo ndeshje kishte ndikuar në jetën e tij për një kohë.
“Kjo ndeshje më preku shumë. Askush nuk e parafytyroi çfarë ka mundur të ndodhte. Nuk isha në gjendje të flija, prandaj kaloja kohë duke lexuar”, tha 32-vjeçari.
“Pastaj fillova të brengosem sepse shkoja në stërvitja pa asnjë sy gjumë. Doktori më dha medikamente për të më ndihmuar të fle. Pak nga pak, ia dola të fle”, zbuloi ai. /Gazeta Express/