Presidenti i Real Madridit, Florentino Perez, ka insistuar se klubi madrilen nuk është i interesuar te dyshja e Paris Saint-Germainit, Kylian Mbappe dhe Neymar, duke tentuar t’i shuajë spekulimet për këta dy futbollistë.
“Los Blancos” priten ta bëjnë një revolucion në skuadër këtë verë, pasi që Zinedine Zidane synon ta udhëzojë Real Madridin drejt më shumë trofeve sezonin e ardhshëm.
Real Madridi e mbylli sezoni 2018/19 në pozitën e tretë në tabelën e La Ligës, shumë prapa Atletico Madridit në vend të dytë dhe kampiones Barcelona, që e fitoi titullin për të dytin sezon radhazi.
Madrilenët dështuan edhe në Ligën e Kampionëve këtë sezon, duke u eliminuar qysh në fazën e 1/8 të finales, pasi e kishte fituar titullin në tri sezonet paraprake. Ajaxi ishte klubi që e tronditi Real Madridin në Evropë këtë sezon.
Dyshja e Paris Saint-Germainit, Mbappe dhe Neymar, është përfolur për një transferim të mundshëm në Santiago Bernabeu këtë sezon, pasi që besohet se Real Madridi do të shpenzojë shumë para këtë verë.
Golashënuesi më i mirë i Ligue 1 këtë sezon, Mbappe, sugjeroi se mund të tundohet nga ndonjë klub me projekt të ri, ndërsa ish-ylli i Barcelonës, Neymari, është përfolur për një kthim të mundshëm në La Liga.
Por, Perezi ka thënë se Real Madridi nuk është i interesuar për transferimin e këtyre dy futbollistëve.
“Nuk kam folur me Zidanin për Mbappen apo Neymarin, apo me askënd tjetër. Nuk kemi folur as me Mbappen e as nuk do ta bëjmë një gjë të tillë”, ka thënë Perezi në një intervistë me Onda Cero’s El Transistor.
“Vitin e kaluar, ne thamë se nuk i donim ata dhe e njëjta gjë vlen edhe këtë vit. Nëse e duam ndonjë lojtar, do të flasim me klubin e tij”.
(Kosova Sot Online)