Në mungesë të Valon Berishës së lënduar dhe me Samir Ujkanin që e ka humbur vendin e titullar, Hekuran Kryeziu mund të jetë kapiten i Kosovës në dy ndeshjet e kësaj jave të verdhekaltërve, ka konfirmuar trajneri Bernard Challandes.
Verdhekaltrit u mblodhën të hënën, pas ndeshjeve me klubet e tyre përkatëse në fundjavë, për t’u përgatitur për dy ndeshjet e Kombëtares gjatë këtij muaji.
Kosova do t’i zhvillojë dy ndeshjet brenda një jave në stadiumin “Fadil Vokrri” në kryeqytet.
“Dardanët” së pari e presin Danimarkën në një ndeshje miqësore, para se ta nisin fushatën e kualifikimeve në Kampionatin Evropian 2020 kundër Bullgarisë të hënën më 25 mars.
Por, me Samir Ujkanin që e ka humbur tashmë vendin e titullarit në ekipin e parë të Kosovës dhe Valon Berishën që do të mungojë shkaku i lëndimit, Challandes konfirmon se mesfushori Hekuran Kryeziu mund të jetë kapiten.
Megjithatë, trajnerit zviceran mund t’i duhet të mendojë përsëri, sepse Kryeziu ka pësuar një dëmtim dhe ka gjasa të mungojë në ndeshjen e parë të enjten.
“|Hekurani mund të jetë kapiten. Valoni mungon dhe nëse Ujkani është rezervë, Hekurani ka karakter. Nëse nuk luan Hekurani, duhet ta gjejmë dikë tjetër”, tha Challandes në një konferencë për media në Prishtinë.
(Kosova Sot)