Dyshja e “Djajve të kuq” mund të jetë protagoniste në përballjen mes dy rivalëve të mëdhenj, Manchester Unitedit dhe Liverpoolit, të dielën, në kuadër të Premierligës.
Trajneri i Manchester Unitedit, Ole Gunnar Solskjaer, beson dhe shpreson se Anthony Martial do të jetë i gatshëm për ndeshjen kundër Liverpoolit, ndërsa për Jesse Lingardin ka thënë vetëm se shpreson, transmeton Gazeta Express.
Që të dy këta futbollistë u lënduan në ndeshjen e Ligës së Kampionëve, kundër Paris Saint-Germainit, javën e kaluar. Fillimisht, Solskjaer kishte sugjeruar se ata mund të mos kthehen deri pas tri javëve.
Por, tani gjërat kanë ndryshuar dhe Martiali e Lingardi mund të jenë titullar në derbin më të madh të Anglisë, pasi që të dy kanë punuar shumë ditëve të fundit për t’u shëruar më shpejt.
“Shpresoj dhe mendoj që Anthony do të jetë gati dhe shpresoj që Jesse do të jetë gati, pasi që ata të dy kanë lëndime të ndryshme. Ndoshta shpresoj më shumë sesa që besoj, e njëjta vlen edhe për Anthonyn, por ai mund të luajë”, ka thënë Solskjaer.
“Sidoqoftë, shpresoj që Jesse do të jetë gati. Do ta shohim. Ne i kemi ende dy ditë seanca stërvitore dhe ata duhet të bëhen pjesë e këtyre për të luajtur të dielën”.
Manchester Unitedi e pret në shtëpi Liverpoolin të dielën, në orën 15:05, në kuadër të Premierligës. Kjo ndeshje ka shumë rëndësi pasi që përveç që është derbi më i madh në Angli, “Djajtë e kuq” dëshirojnë t’i prishin punë Liverpoolit në garën për titullin e Premierligës.
Këtë gjë do ta kenë më të lehtë ta bëjnë nëse Martiali dhe Lingardi kthehen në formacion të parë, pasi që këta të dy, bashkë me Marcus Rashfordin, kanë qenë kombinimi i preferuar i Solskjaerit për fazën e sulmit. /Gazeta Express/