Shorti i Ligës së Kampionëve të premten i ka prodhuar disa duele fantastike, por në të njëjtën kohë ua pamundëson Barcelonës dhe Juventusit të takohen në çerekfinale dhe gjysmëfinale – duke siguruar se ka mundësi që ta kemi një finale mes Lionel Messit dhe Cristiano Ronaldos.
Të dy superyjet luajtën rol kyç në garantimin e një vendi në çerekfinale për skuadrat e tyre përkatëse, të cilat sot i mësuan kundërshtarët e tyre. Juventusi kundër Ajaxit dhe Barcelona kundër Manchester Unitedit, transmeton Gazeta Express.
Fituesi i duelit mes Juves dhe gjigantit holandez do të ndeshet me duelin e fituesit mes Tottenhamit dhe Manchester Cityt në gjysmëfinalen e parë.
Messi dhe Ronaldo janë përballur tri herë në Ligën e Kampionëve, dy prej të cilave raste Cristiano ishte pjesë e Manchester Unitedit.
Në sezonin 2007/08, Barcelona u takua me Unitedin në gjysmëfinale të kësaj gare, të cilën e fitoi portugezi. Por, Messi e kishte fjalën e fundit, pasi e fitoi finalen e vitit 20009 në Romë kundër CR7, si dhe e eliminoi Real Madridin e Ronaldos në gjysmëfinale të vitit 2011.