Trajneri i Barcelonës, Ernesto Valverde, nuk është i shqetësuar nga mungesa e golave të shënuar nga Luis Suarezi në Ligën e Kampionëve, pasi uruguaiani nuk arriti të shënojë as në barazimin pa gola të mbrëmshëm, kundër Lyonit.
Suarezi nuk ka shënuar në pesë ndeshje të Ligës së Kampionëve këtë sezon dhe ai ka shënuar vetëm një herë në 17 paraqitjet e tij të fundit në kuadër të kësaj gare
32-vjeçari e ka shënuar vetëm një gol në tetë ndeshjet e fundit në të gjitha garat për Barcelonën, mirëpo Valverde insiston se ai nuk është i shqetësuar me formën e qendërsulmuesit të tij.
“Nuk më shqetëson mua. Do të shqetësohesha nëse ai nuk do të kishte asnjë rast, pasi që këtë gjë mund ta kërkon nga një qendërsulmues. Edhe nëse ai nuk ka raste, ai i krijon ato për bashkëlojtarët e tij”, ka thënë Valverde.
“Të gjithë kundërshtarët i frikësohen atij. Futbolli është kështu dhe të gjithë sulmuesit kalojnë nëpër periudha të tilla. Gjëja më e rëndësishme është që të krijosh raste të mira për të shënuar”.
Megjithatë, nuk është vetëm Suarezi lojtari i Barcelonës që e ka pasur të vështirë para portës së kundërshtarit. Në katër ndeshjet e futbollit, skuadra e Valverdes i ka shënuar vetëm dy gola.
(Kosova Sot)